Kombëtarja Shqiptare e Futbollit u mund nga Spanja në “Loro Boriçi”, duke pësuar humbjen e parë të këtyre kualifikueseve të Botërorit.

Edhe pse pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura, me Spanjën që bëri të gjithë lojën dhe Shqipërinë që fare pranë zonës dhe brenda saj theu aksionet e saj, Kombëtarja u thye me fillimin e pjesës së dytë.

Sulmet e vazhdueshme të ish – kampionëve të Botës dhe Europës sollën frytet. Në minutën e 55, pasimi i dobët i portierit Berisha bëri që Diego Costa të mos e ketë vështirë të shënojë.

Si një rrugë me një kalim, loja vazhdoi me Spanjën që nuk reshti sulmet dhe kërkimin e golit. Në të 63-in, erdhi edhe goli i dytë me Nolito, i cili kishte pak minuta që kishte hyrë në lojë si zëvendësues.

Traineri i Kombëtares Shqiptare është shfaqur i trishtuar pas ndeshjes për humbjen, edhe pse më parë kishte pranuar se mundësitë për të marrë rezultat në këtë takim ishin minimale.

“Dhuruam një ndeshje. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe me rregull, por gabimi në golin e parë na ndëshkoi. Bëmë pak në sulm, ndërsa në mbrojtje u munduam të bëjmë atë që dimë të bëjmë. Është e trishtë që golin e parë e bëmë vetë. Mund të pësonim gol në shumë mënyra, por jo në atë mënyrë”.

Edhe portieri Berisha e pranoi se kjo humbje erdhi si pasojë e gabimit të tij.

“Ishte një moskoordimin i mirë i imi. Topin që erdhi doja ta luaja shkurt, por në fund dëgjova Gjimshitin që nuk mund ta pranonte topin në atë moment dhe vendosa ta lëshoja para. Në atë moment na u bë kundërsulm aty dhe më vjen keq sepse ai gol na preu këmbët. Nëqoftëse nuk do e kishim pësuar atë, ndoshta nuk do e pësonim as të dytin, ndaj besoj se aty e humbëm lojën”.

Megjithë humbjen skuadra u duartrokit nga tifozët e shumtë që mbushën “Loro Boriçin” pavarësisht motit të keq.

Tv Klan