Sejko: Fokusi të stabiliteti financiar dhe të faktorët goditës
Banka e Shqipërisë ka nënshkruar Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mes Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko marrëveshja e zgjeron fokusin tek politikat monetare dhe stabiliteti makroekonomik i vendit tonë.
“Kjo marrëveshje është një tjetër hap kyç drejt përmirësimit të politikave monetare dhe financiare në vendin tonë, për të forcuar më tej ekonominë dhe sistemin financiar të Shqipërisë. Duke i qëndruar besnik objektivit tonë kryesor për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit, bashkëpunimi synon të forcojë më shumë rolin tonë në formulimin dhe zbatimin e politikës monetare, si dhe në promovimin e stabilitetit financiar. Së dyti, duke synuar rritjen e rezistencës ndaj turbulencave të mundshme në ekonominë globale, tregun e brendshëm dhe sistemin financiar, bashkëpunimi do t’i kushtojë vëmendje të veçantë politikave të de-euroizimit, rritjes së qëndrueshmërisë të sektorit bankar”.
Ndërsa ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber theksoi se mbetet me rëndësi që shërbimet financiare të jenë sa më pranë qytetarëve.
“Qeveria zvicerane do vijojë të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme me asistencë teknike Bankën e Shqipërisë edhe për 5 vitet e ardhshme. Në fazën e tretë të kësaj marrëveshje ne do te fokusohemi tek edukimi financiar dhe mbi të gjitha për të bërë shërbimet financiare sa më të aksesueshme nga e gjithë popullata”.
Memorandumi i ri SECO forcon më tej bashkëpunimin në sektorin ekonomik mes Shqipërisë dhe Zvicrës në një kohë sfidash globale të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë.
Klan News