Ishte data 1 Prill e vitit 2009 kur Shqipëria së bashku me Kroacinë, u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë ne Bukuresht më 3 prill te vitit 2008 nga të 26 Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s në Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s.  

Shqipëria mori për të parën herë pjesë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014.

Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it, duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Edhe në shekullin e XXI, objektivi kryesor i Aleancës mbetet përballimi i sfidave të sigurisë. Ashtu si edhe më parë siguria e vendeve anëtare të NATO-s bazohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit që është edhe parimi themelor i “mbrojtjes kolektive” të Aleancës.  

Ky nen, i cili përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjitha vendeve, duke parashikuar mbrojtën kolektive, mori një rëndësi të veçantë si pasojë e rreziqeve të sigurisë.

Shqipëria si edhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s kanë tashmë si detyrim rritjen e shpenzimeve ushtarake në nivelin 2% të GDP-së, si dhe vunë theksin mbi rëndësinë e forcimit të lidhjes Transatlantike.  

Klan News