Shqipëria bëhet anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike, propozuar nga Sekretari i Shtetit, Blinken. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogave dhe Krimit UNODC, në Vjenë, shprehu shqetësimin se problemi i drogave përbën një kërcënim serioz për vendet e shoqëritë tona, duke ndikuar në kushtet sociale dhe ekonomike apo sigurinë publike.

“Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash me veti psiko-aktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se urgjencës për të luftuar drogat sintetike, e cila mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje për veprim të bashkërenduar nëpërmjet Koalicionit Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, Shqipëria i është bashkuar si një anëtar i përkushtuar.

Më tej ministri shtoi se “një përgjigje gjithëpërfshirëse kërkon rritje të investimeve në shërbimet shëndetësore, një kornizë të përshtatshme ligjore si dhe shkëmbimin e të dhënave me qëllim ndalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe ushtrimin e ndjekjes penale”.

Balla konfirmoi në panel, se qeveria shqiptare është e angazhuar në mënyrë aktive në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, përmes ndryshimeve ligjore për zgjerimin e listës së substancave të ndaluara.

“Aktualisht po rishikojmë Kodin Penal për të trajtuar veprat penale brenda Perimetrit të Sigurisë në Shkolla, duke përfshirë trafikimin dhe shpërndarjen e drogave”, nënvizoi ministri, i cili përmendi operacionin e fundit kombëtar “Tempulli”, kundër shpërndarësve të drogave.

Në mbyllje të fjalës, Balla deklaroi masat në vijim për të luftuar këtë fenomen, që parashikojnë ngritjen e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm në vitin 2025, si dhe Observatorin Kombëtar të Drogës, në 2026, që do të veprojë si organizëm qendror përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të gjitha të dhënave të lidhura me drogën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.


FJALA E MINISTRIT TË BRENDSHËM, TAULANT BALLA NË DEBATIN E PËRGJITHSHËM TË KOMISIONIT KUNDËR DROGAVE – UNODC

I Nderuar Kryetar,
Të nderuar Delegatë,

Problemi i drogave përbën një kërcënim serioz për vendet dhe shoqëritë tona, duke ndikuar në kushtet sociale dhe ekonomike, duke cënuar sundimin e ligjit, sigurinë dhe institucionet përkatëse.

Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash psikoaktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime.

Me shqetësim vërejmë se si droga të tilla raportohen në ditët e sotme si shkaku kryesor i vdekjeve i qytetarëve të moshës së mesme në shumë vende.

Kjo situatë përfaqëson një problem kompleks që përhapet në të gjithë shoqërinë, duke ndikuar negativisht në situatën e të pastrehëve dhe të kriminalitetit tek të rinjtë, duke shkaktuar një barrë të madhe ekonomike për shëndetin publik dhe sistemin e drejtësisë penale.

Urgjenca për të luftuar drogat sintetike mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit z. Blinken, i cili ka shprehur shqetësimin e thellë dhe ka bërë thirrje për veprim të bashkërenduar global nëpërmjet Koalicionit Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, të cilit Shqipëria i është bashkuar si një anëtar i angazhuar.

Një përgjigje gjithëpërfshirëse kërkon rritje të investimeve në strukturat dhe shërbimet shëndetësore, një kornizë të përshtatshme ligjore si dhe shkëmbimin e të dhënave me qëllim ndalimin e përdorimit të substancave të rrezikshme dhe ushtrimin e ndjekjes penale. Qeveria Shqiptare është e angazhuar aktivisht në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, duke u fokusuar në një koordinim më të mirë ndërmjet autoriteteve ligjzbatuese dhe parandalimin e krimit ndërkufitar.

Vitet e fundit janë shënuar rezultate pozitive, me rritje të sasisë së drogave të sekuestruara. Megjithatë, ka ende sfida për t’u përballuar, duke përfshirë zbulimin e kërcënimeve në rritje, identifikimin e modeleve të përdorimit, dispozitat ligjore dhe ofrimin e shërbimit mjekësor dhe mbështetjes për kurim.

Qeveria Shqiptare ka miratuar së fundmi ndryshimet në ligjin “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik”, duke zgjeruar listën së substancave të kontrolluara.

Shqipëria vijon angazhimin në kuadër të kornizave ndërkombëtare kundër drogës, duke punuar për të harmonizuar legjislacionin me standardet e BE-së.

Aktualisht po rishikojmë Kodin Penal për të trajtuar veprat e reja penale brenda Perimetrit të Sigurisë në Shkolla, duke përfshirë trafikimin dhe shpërndarjen e drogave.

Dokumentet strategjike, të tilla si “Strategjia Kombëtare për Shëndetin 2021 – 2030” fokusohen në kërkesën për drogë dhe reduktimin e dëmit, duke adresuar implikimet socio-shëndetësore të përdorimit të drogës. Objektivi i qeverisë është të mbrojë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht kundër drogave sintetike dhe ndër moshat e reja.

Nismat kombëtare, si operacioni policor i kohëve të fundit i quajtuar “Tempulli” synojnë goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së drogës në shkolla, duke çuar në rritjen e ndjekjes penale dhe dënimit për kultivimin e kanabisit.

I angazhuar për të nxitur më tej përpjekjet tona kombëtare në përputhje me angazhimet dhe koalicionet ndërkombëtare të politikës së drogës, zotohem se Shqipëria do të ngrejë:

-Deri në vitin 2025, Sistemin Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm. Ky organ ndërinstitucional do të shërbejë si një mekanizëm për rishikimin e vazhdueshëm të listës së barnave dhe substancave psikotrope që dëmtojnë shëndetin publik. Sistemi Kombëtar i Paralajmërimit të Hershëm do të luajë një rol jetik në monitorimin, zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj tendencave në zhvillim dhe substancave të reja, duke forcuar kështu aftësinë e vendit për të trajtuar sfidat në zhvillim që lidhen me përdorimin dhe abuzimin e drogës.

-Deri në vitin 2026, Observatorin Kombëtar i Drogës, i cili do të veprojë si organizëm qendror përgjegjëse për mbledhjen, analizimin dhe përpunimin e të gjitha të dhënave të lidhura me drogën. Observatori do të lehtësojë shpërndarjen e metodologjive në lidhje me sistemet dhe praktikat e mbledhjes së të dhënave në adresimin e reduktimit të kërkesës dhe ofertës. Kjo përfshin diskutime mbi aspektet ligjore dhe modelet e politikave, duke përfshirë palët kryesore të interesit, për kujdesin shëndetësor, zbatimin e ligjit, akademi dhe institucionet e orientuara drejt kërkimit, qendrat e rehabilitimit të dedikuara për promovimin e shëndetit dhe sigurisë publike.

Sistemi Kombëtar i Paralajmërimit të Hershëm dhe Observatori Kombëtar i Drogës do të ngrihen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), Bordin Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, Qendrën Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) dhe Koalicionin Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike.

Përpjekjet e suksesshme në adresimin e trafikut transnacional të drogës kërkojnë përgjegjësinë dhe vendosmërinë e të gjithëve, për siguri të shtuar dhe zhvillim shoqëror./tvklan.al