Opinion- Më 28 Prill të 2009-ës kryeministri i asaj kohe Sali Berisha prezantoi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Në rrugën integruese të Shqipërisë ishte hedhur një hap më tej dhe kërkohej të vlerësohej për të marrë statusin. Por si kanë qenë raportet e Shqipërisë me BE-në dhe cila ka qenë rruga e raporteve prej Majit të 1992-shit?

Pikërisht kjo ka qenë tema që gazetari Blendi Fevziu ka trajtuar në emisionin “Opinion”  më datë 28 Prill të 2009.

Shqipëria aplikoi në Pragë, në vendin që mban kryesinë e Bashkimit Europian për anëtarësimin në BE, më datë 28 Prill të 2009. Kryeministri Berisha paraqiti kërkesën e Shqipërisë vetëm 27 ditë pas hyrjes në fuqi të MSA dhe ratifikimit të saj nga 27 vende anëtare të BE. Në fakt marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE e kanë zanafillën në vitin 1991, menjëherë pas rënies së diktaturës komuniste.

Marrëveshja e parë me unionin ishte ajo e tregtisë së lirë dhe më pas u vijua me marrëveshjen politike në vitin 1992. Në vitin 1996 Shqipëria ishte shumë pranë nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizimit, por u pengua nga ngjarjet e viteve 1996-97. Këto ngjarje rishikuan një tjetër histori mes BE dhe Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1999 u prezantua raporti i besueshmërisë për hapjen e negociatave. Në vitin 2000 u prezantua programi i asistencës komunitare për rindërtim, zhvillim dhe stabilizim.

Më 22 Tetor 2002 këshilli i çështjeve të përgjithshme autorizoi Komisionin Europian për fillimin e negociatave për vendin tonë. Hapja zyrtare e bisedimeve solli në Tiranë presidentin e atëhershëm Romano Prodi. Në Janar të 2004-ës Shqipëria u ftua të bashkohet me qëndrimet e BE në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë. Ndërsa Qershori i vitit 2006 do të shënonte kulmin më të lartë të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Unionit.

Në Luksemburg Berisha do të nënshkruante MSA-në. Marsi i 2008-ës do të shënonte hapjen e negociatave të komisionit të BE dhe Shqipërisë për liberalizimin e plotë të vizave. Lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë drejt vendeve të unionit ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të marrëdhënies së shtetit shqiptar me BE.

Më 1 Shtator 1939 Gjermania naziste pushtoi Poloninë. Dy ditë më pas Britania dhe Franca i deklaruan luftë Gjermanisë. Kështu nisi zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore në Europë. Më 7 Dhjetor 1941 Japonia sulmoi marinën amerikane dhe konflikti u kthye në luftë botërore. Në përfundim të luftës Europa u përball me shkatërrimin, shumë qytete ishin shkatërruar nga bombardimet.

Më 1944 nisi çlirimi i Europës perëndimore dhe më 1945 Gjermania firmos aktin e dorëzimit. Japonia kapitulloi më 2 Shtator të po atij viti. Këtu përfundoi edhe konflikti botëror.

Europa nisi të përballet me rrjedhojat e luftës, numëroheshin 50 milionë të vdekur. Kontinenti Europian nisi rindërtimin. Më 1948 administrata amerikane ofroi asistencën për të gjitha qytetet evropiane përmes planit për ringritjen e Europës. Nis të bëhet popullore edhe ideja e një Federate Europiane. Më 1946 themelohet Bashkimi Federal Europiano-Perëndimor, shumë projekte morën rrugë. Një vit më vonë nisin manifestimet e të rinjve në mbështetje të kësaj Federate.

Në Maj të 1948-ës komiteti ndërkombëtar organizoi kongresin ndërkombëtar Europian me presidencë të Winston Churchill. Në kongres përfaqësoheshin 17 shtete nga 800 delegatë. Vitet 50-të erdhën me një dëshirë për fillim të ri.

U krijua Komiteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut dhe tregu i përbashkët me çmime të përcaktuara dhe pa detyrime import-eksporti. Hapat e parë të Europës për të qenë prezente në botë ndodhën kur perandoritë kolionaliste evropiane u shpërbënë duke filluar me pavarësinë e Ganës më 1957-ën. Më 1968 përfundoi krijimi i Unionit të Doganave.

Në mesin e viteve 70-të u firmos konventa e parë mes Europës dhe 45 shteteve Afrikane, të Karaibeve dhe vendeve të paqësorit. Kjo ishte konventa e parë e partneritetit ndërkombëtar e cila zëvendësoi modelin e vjetër post kolonial./ tvklan.al