Ngjarjet e fundit kriminale në Shkodër, disa prej të cilave vrasje, mund të ishin parandaluar nëse grupi “Bajri” do të ishte goditur më shpejt.

Këto janë dyshimet që ngre zëvendësministri i Brendshëm Besfor Lamallari në një prononcim për median belge “De Morgen”. Sipas tij, autoritetet belge kanë vonuar me 5 muaj transferimin e dosjes së Safet Bajrit (Rustemit), i dënuar edhe në Belgjikë.

Zëvendës-ministri i Brendshëm Besfor Lamallari

“Në Shqipëri, ekzaktësisht në Shkodër, kanë ndodhur disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe vrasje. Grupi “Bajri” është hetuar për disa ngjarje të tilla dhe kjo mund të ishte shmangur (u referohet ngjarjeve kriminale në Shkodër). Që nga Prilli i vitit 2018 autoritetet shqiptare kanë kërkuar vazhdimisht nga autoritetet belge vendimin e Gjykatës për Safet Bajrin. Ministria e Brendshme, Policia Shqiptare, zyra e prokurorit përmes kanaleve të komunikimit kanë ngulmuar që autoritetet belgë të përshpejtojnë procesin për dërgimin e dosjes për Safet Bajrin, por kjo dosje ka mbërritur në Shtator”.

I menjëhershme ka qenë dhe reagimi i ministrit të Drejtësisë belge, Kohen Geens, i cili ka pranuar se ka pasur një vonesë nga autoritetet e vendit të tij, të cilat i ka konsideruar si “gabim njerëzor”.

Ministri i Drejtësisë belge, Kohen Geens:

“Në Belgjikë diçka ka shkuar keq me procedurën. Duhet të ishte aplikuar procedura e dënimit dhe e transferimit për Safet Bajrin. Ky është “gabim njerëzor”.

Geens shpjegon se Belgjika dhe Shqipëria nuk kanë një marrëveshje për ekstradimin e të dënuarve, por nga ana tjetër ekziston një marrëveshje për njohjen e dënimeve mes dy vendeve.

Ministri belg hedh poshtë pretendimin e bërë nga zëvendësministri i Brendshëm Lamallari për vonesë në arrestim, megjithatë përshëndet aksionin e përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj belge që çuan në arrestimin e 11 personave në të dyja këto vende.

Për t’u shfajësuar nga pretendimet e palës shqiptare për vonesa proceduariale të Belgjikës, ministri belg jep këtë përgjigje.

“Shqipëria është në një betejë të ashpër mes shumicës dhe opozitës rreth korrupsionit”./tvklan.al