Shqipëria ka nisur punën për të eksportuar produktet shtazore në Serbi, e konkretisht mishin e gjedhit dhe bagëtive të imta, por nga ana tjetër edhe shteti serb ka shfaqur interes për të sjellë produkte të ngjashme në Shqipëri.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se interesi i Serbisë është në tregtimin e mishit të derrit, produkt ky që Shqipëria është një importues neto dhe që ka mungesë në prodhimin e tij.

Dy ministrat homologë të Bujqësisë Niko Peleshi dhe Branislav Nedimoviç janë takuar ditën e martë pikërisht për të njohur certifikatat shoqëruese të mishit në të dyja doganat, atë serbe dhe atë shqiptare.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Zhvillimit Rural në Shqipëri njoftoi se për këtë qëllim u ra dakord në ngritjen e një grupi pune të përbashkët për unifikimin e certifikatave bimore dhe shtazore.

Shqipëria vitin e fundit ka rritur eksportin e prodhimeve bujqësore në Serbi nga 15 milionë dollarë në 2016-n në 20 milionë vitin që shkoi, por Serbia vijon ta dominojë tregun me 68 milionë dollarë importe të këtyre prodhimeve në 2017-ën. Në total Serbia eksportoi drejt vendit 250 milionë dollarë produkte gjatë vitit që shkoi, ndërsa Shqipëria 48 milionë.

Tv Klan