Kryediplomatët i shprehin mbështetjen njëri-tjetrit për integrimin

Kryediplomatët e Shqipërisë dhe Ukrainës Igli Hasani dhe Dmytro Kuleba i kanë shprehur njëri-tjetrin mbështetjen për anëtarësimin në BE.

Kuleba madje preferoi të shprehej shkurt në gjuhën shqipe.

“Faleminderit shumë të dashur miq!”

Ministrat kanë diskutuar edhe për përgatitjet për samitin e NATO-s në Uashington në datat 9-11 Korrik.

“Shqipëri mbështet planin me 10 pika të presidentit Zelensky si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera kemi marrë angazhimin për  bashkëpunimin dhe realizimin e pikës 5 që ka të bëjë me rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës si një nga objektivat më urgjente të përfundimit të luftës. Jemi në koordinim të plotë me të gjitha vendet partnere dhe aleatë për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për popullin ukrainas.”

“Shqipëria dhe Ukraina janë shtete europiane ndaj ramë dakord që të vijojmë bashkërendimin e veprimeve. Vlerësojmë bashkëpunimin mes nesh edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Shqipëria meriton integrim sa më të shpejtë në BE.  Vendi juaj është një partner i rëndësishëm si anëtar i NATO-s. Presim që Samiti i Nato-s në Uashington të përbëjë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës në aleancën veriatlantike. Kjo do ta bëjë edhe më të sigurtë këtë pjesë të Evropës duke rritur sigurinë në Ballkanin Perëndimor.”

Të dy kryediplomatët bënë thirrje që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës.

Hasani ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet ambasada e Shqipërisë në Kiev ndërsa vendi ynë do të ndihmoje në rindërtimin e Ukrainës.

Ndonëse larg njëri-tjetrit në distancë gjeografike këto dy shtete pas agresionit rus Brukseli i ka përfshirë në të njëjtin proces lidhur me integrimin edhe pse Shqipëria ka pritur me gjatë për hapjen e negociatave.

Klan News