S&P vlerëson ekonominë e vendit me B+

Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P), në rishikimin më të fundit të saj konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme” ekonomike.

Ajo vlerëson  se ekonomia shqiptare do të ringrihet gjatë këtij viti dhe  duke kapur një rritje prej 5% dhe se deri në fund të 2021 Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rikuperohet në nivelet e vitit 2019, para pandemisë.

Agjencia pret gjithashtu që deficiti fiskal, i cili u rrit fort në 2020, do të fillojë të ulet që nga 2022 dhe do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB të fillojë të ulet, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen.

Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, pasi të kulmojë në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej.

S&P shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit, duke qenë se rreth gjysma e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj. Agjencia shprehet qeveria Shqiptare pret që të zbatojë një strategji afatmesme të të ardhurave për të rritur mbledhjen e tyre.

Tv Klan