Shqipëria u mund me rezultatin 1 – 0 nga Norvegjia të hënën në Elbasan. Një sfidë ku Kuqezinjtë vuajtën presionin e kundërshtarëve, duke e patur të vështirë të godisnin portën. Gabimet edhe në mbrojtje i dhanë mundësinë lojtarëve norvegjezë të rrezikonin vazhdimisht portën e Thomas Strakoshës, i cili ishte shpëtimtar në më tepër se një rast, duke shmangur një humbje me më shumë gola.

Goli i Norvegjisë u shënua nga Sigurd Rosted në minutën e 70’. Ai goditi me kokë brenda në zonë. Rreshtimi sulmues i Christian Panucci nuk dha rezultat, pasi rastet e Shqipërisë ishin të pakëta. Në formacionin titullar ishin edhe Kamer Qaka dhe debutuesi Ylber Ramadani. Minuta pati edhe për Keidi Baren dhe Bujar Likën, prurjet e fundit te Kombëtarja.

Kristal Abazaj, Enis Gavazaj dhe Herdi Prenga e ndoqën takimin nga stoli. Miqësoret e majit do të jenë një tjetër mundësi për Christian Panucci, për të përgatitur ekipin për Ligën e Kombeve që nis në shtator të këtij viti.

Tv Klan