Shqipëria do të jetë pjesë e Socca EuroCup ku garojnë 22 shtete. Kuqezinjtë e minifutbollit me 6 lojtarë janë shortuar me përfaqësuese që renditen lart në klasifikimin botëror si Ukraina, nënkampione e botës, Franca, Lituania e Serbia.

“Është një grup goxha i fortë. Kemi të bëjmë me Ukrainën që është e renditur e shtata në botë, Franca e 11. Janë pak a shumë me nivel mbi mesataren”, thotë Jurgen Demneri, përgjegjës i futbollit amator në FSHF.

Pikërisht Ukraina eliminoi Shqipërinë nga faza e 1/16 në Botërorin e kaluar. Turneu do të zhvillohet në Moldavi nga 8 deri më 12 maj dhe skuadra shqiptare ka prurje të reja dhe cilësore. Kjo ka shtuar dëshirën për të shkuar më shumë se kalimi i grupit.

“Nuk shkojmë me mendimin që vetëm të kalojmë grupin, por të shikojmë më përpara, urojmë të dalim në vendin e parë dhe ta mundim Ukrainën. Ne e kemi bërë grupin. Kemi marrë disa elementë më të fortë”, shprehet Armando Qoshja, ndihmëstrajner i Kombëtares së Minifutbollit.

Në fazën pasardhëse të Socca EuroCup kalojnë dy vendet e para në secilin grup.

Tv Klan