Shqipëria e nisi mbarë Ligën e Kombeve duke fituar me rezultatin 1 – 0 sfidën me Izraelin të premten në Elbasan.

Kuqezinjtë triumfuan duke zhvilluar një pjesë të dytë më të mirë, ndërsa në tribuna ishin më pak tifozë se zakonisht.

Kombëtarja e nisi lojën me një gërshetim të lojtarëve me përvojë me ata të rinj, madje Christian Panucci i besoi Egzon Binakut në krahun e majtë në vend të veteranit Agolli. Izraelitët u shfaqën më të rrezikshëm që në minutat e para me aksionet e shpejta.

Shqipëria iu afrua portës kundërshtare me Gurin, por kuqezinjtë harruan mbrojtjen. Strakosha u shfaq në disa raste shpëtimtar gjatë pjesës së parë, duke shmangur gola të sigurt. Në minutat e fundit ishin kuqezinjtë të cilët iu afruan golit me Hykën dhe Memushajn, por pa e festuar atë.

Në pjesën e dytë Panucci aktivizoi Balajn në vend të Gurit. Shqipëria u shfaq më kërkuese me rifillimin e lojës. Në minutën e 55’ ishte Taulant Xhaka, i cili kaloi kuqezinjtë në avantazh, duke shfrytëzuar një pasim të kapitenit Hyka. Goli i parë për mesfushorin me Shqipërinë. Hysaj, Balaj dhe Hyka patën të tjera mundësi për të shënuar, por pa sukses. Nga ana tjetër përpjekjet e Izraelit nuk sollën gola, falë edhe Strakoshës në superformë.

Në këtë përballje debutoi me Kombëtaren mbrojtësi Herdi Prenga, i cili u aktivizua gjatë pjesë së dytë. Ndeshja e radhës për Shqipërinë në Ligën e Kombeve do të jetë të hënën ndaj Skocisë në Gllazgou.

Tv Klan