Shpresat e kombëtares shqiptare të vajzave për t’u ngjitur në Divizionin A të Ligës së Kombeve janë të mëdha para dy sfidave të fundit në grup.

Përfaqësuesja e teknikut Armir Grimaj do sfidojë Ukrainën dhe Republikën Çeke, dy përballje tepër vendimtare për fatin e kombëtares sonë.

Për këtë fakt, Grimaj ka grumbulluar lojtaret më të mira në dispozicion për t’i bërë ballë kombëtareve më të forta të grupit. Mes emrave që do të japin kontributin e tyre janë ato të Arbiona Bajraktari, Ezmiralda Franja dhe Megi Doçi, të cilat mbërrijnë pas suksesit të arritur me Vllazninë, ku u shpallen për herë të 12-të kampion të Superligës shqiptare.

Ndeshja e parë do të luhet më 30 maj, në orën 19:00 ndaj Ukrainës, në stadiumin “Varteks” në Varazdin të Kroacisë. Ndërkaq, takimi i fundit për këtë edicion do të jetë më 3 qershor, po në orën 19:00, ndaj Çekisë, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Pas katër ndeshjesh të zhvilluara, Shqipëria e vajzave renditet në vendin e tretë në Grupin B4 me 6 pikë. Ukraina kryeson me 10 pikë, e ndjekur nga Çekia me 7, ndërsa Kroacia është në vendin e fundit pa asnjë pikë.

Klan News