Jepet “Azithromycin”, protokollet në botë e ndalojnë

Kur ka kaluar më shumë se 10 muaj nga shpallja e pandemisë së koronavirusit në botë, vendi ynë është i vetmi që vijon të ndjekë të njëjtin protokoll trajtimi si në ditën e parë, kur njohuritë për virusin ishin zero.

Referuar këtij protokolli, mjekët e familjes trajtojnë thuajse çdo rast Covid pozitiv me antibiotikë, edhe kur simptomat janë të lehta.

“Në vendin tone është i disponueshëm një protokoll trajtimi për këta pacientë, i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ai përfshin më të detajuar rastet e lehta dhe të mesme, të cilat ndiqen në banesë nga mjeku i familjes”, u shpreh mjekja Valbona Salko.

Në një intervistë për Televizonin Klan, nënkryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, Aurora Dollemberg, mjeke në Gjermani, na thotë se protokollet europiane janë përditësuar dhe tashmë asnjë pacient nuk trajtohet si në fillim të pandemisë, ndërsa përdorimi i antibiotikut në rastet me simptoma të lehta cilësohet i gabuar dhe i dëmshëm.

“Është një gabim klasik, të paktën këtu në Gjermani, por edhe në vendet europiane, Ka protokolle strikte për antibiotikun dhe vetëm nëe rastet që verifikohet që kemi një infeksion bakterial atëherë kemi të drejtë ta japim dhe jo për shenjat virale siç janë ato të Covid. Në fillim është medikamenti antimalarik dhe pas 6 muajsh është ndaluar në mënyrë kategorike dhënia e tij”.  

Azithromycina u propozua në fillim si një antibiotik çudibërës për rastet me Covid, Shqipëria vijon ta rekomandojë si alternativë të parë dhe më të mirën, por bota e ka ndaluar prej kohësh.

“Për fatin e keq Azithromycina ka dal nga të gjitha protokollet europiane, nuk është  zgjedhje e parë, madje është e ndaluar”, shtoi mjekja Dollemberg.

Protokolli amerikan, anglez, gjerman dhe ai austriak i trajtojnë pacientët me simptoma të lehta vetëm me paracetamol, ndërsa ndalojnë përdorimin e Azithromycinës në çdo rast.

Po ashtu përdorimi i Ibuprofenit që në fillim ishte e ndaluar ka nisur të rekomandohet nga mjekët në botë për qetësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës.

Tv Klan