Humbja ndaj Gjermanisë ishte fatale për kombëtaren shqiptare të 17-vjeçarëve. Kuqezinjtë e vegjël jashtë eliminuar nga Europiani që po zhvillohet në vendin tonë, pasi pësuan disfatën e dytë brenda pak ditësh.
Formacioni i hedhur në fushë nga Andrea Tedesko nuk arriti t’i bëj ballë supermacisë së Panserave, të cilët regjistruan fitore me shifrat 4-0. Një disfatë e ngjashme me atë të regjistruar në “Arenën kombëtare” kundër Portugalisë.
Gjermania kaloi në avantazh që në minutën e 7-të me golin e Mensah. Shqipëria reagoi menjëherë dhe në minutën e 14-të ishte shumë pranë barazimit, por Kulla dhe Sheji u ndalën nga portieri gjerman, që ishte vendimtar në këtë aksion.
Në minutën e 20-të, “panserat” realizuan golin e dytë me Staff dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të tyre. Në pjesën e dytë, Gjermania shënoi edhe golin e tretë me Mike në minutën e 65-të. “Panserat” fituan një penallti në të 85-ën, që u shndërrua në gol nga Keziah Oteng-Mensah, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0. Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të grupit ndaj Francës, më 25 maj, në “Elbasan Arena”, në orën 20:30. Luftë për një barazim pa gola në “Arenën Kombëtare”, me Portugalinë dhe Francën që barazuan dhe mbajnë të hapur çështjen e dy skuadrave të kualifikuara në gjysmëfinale nga grupi A, pasi kombëtaret numërojnë 4 pikë në krye të saj.
Në ndeshjen e fundit, Franca do të përballet me Shqipërinë, ndërsa Gjermania me Portugalinë.
Klan News