Meta: Shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre

Shqipëria feston sot 76-vjetorin e çlirimit në përkujtim të 29 nëntorit 1944 të fitores ndaj pushtuesve nazifashistë. Krerët më të lartë të shtetit kanë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve duke vendosur kurora me lule pranë memorialit “Nënë Shqipëri”.

Në një ceremoni me pak persona për shkak të masave anti-COVID kanë qenë të pranishëm, Presidenti i republikës, Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Ministra dhe Kryetari i Bashkisë se Tiranës Erion Veliaj.

Ashtu si një ditë më parë në ceremoninë e ditës së flamurit, kryeministri Rama dhe Presidenti Meta kanë ruajtur distancën mes njëri-tjetrit duke reflektuar edhe përplasjet politike të kohëve të fundit.

Kreu i shtetit përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve i ka ftuar ata të marrin në dorë fatin e tyre.

Populli shqiptar ka treguar në çdo moment të vështirë, që di të ngrihet mbi përçarjet, mbi ato forca të cilat kërkojnë t’i shterin energjitë më pozitive dhe kërkojnë t’ia vjedhin atdhedashurinë dhe besimin tek e ardhmja. Unë jam tepër optimist, që shqiptarët e kanë të qartë se kërkohet një ndryshim i jashtëzakonshëm, dhe ky ndryshim ka të bëjë me atë, që ata do të marrin fatet e tyre në duart e tyre, nuk kanë nga të presin”.

Në homazhe munguan përfaqësuesit e opozitës pasi demokratët vijojnë ta kujtojnë Çlirimin në 28 Nëntor në një ditë me Pavarësinë.

Tv Klan