Në 29 Nëntor 1944 Shqipëria shpalli çlirimin kombëtar pasi arriti që të largonte të pushtuesit nga vendi.  Sot 76 vite më pas kjo ditë e shënuar përkujtohet në Shqipëri, ku nderohen të gjithë Dëshmorët e Atdheut që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Mijëra dëshmorë do të kujtohen sot si çlirimtarët e vendit pasi ata sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit. Vendi ynë sot 76 vite më pas po përballet me sfida të mëdha siç është pandemia dhe rindërtimi pas tërmetit të 26 Nëntorit i vitit të kaluar.

Edhe këtë vit politika sërish është e ndarë, pasi vetëm e majta do nderojë heronjtë e luftës, ndërsa e djathta i nderoi si çdo herë një ditë më parë, në 28 Nëntor. Lulzim Basha vendosi dje kurora me lule te monumenti “Nëna Shqipëri” ku dha dhe një mesazh për këtë ditë të shënuar.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook, kujton një prej luftëtarëve, Qemal Stafën. Ai ka zgjedhur një shprehje të Sfafës, duke e shoqëruar me mbishkrimin “Fjalë të çmuara”.

E vjetra po shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, citon Rama. Po ashtu pritet që gjatë ditës të zhvillohen dhe ceremonitë e ndërtimit për “Dëshmorët e atdheut”.

Historia e festës së Çlirimit

Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ishte një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Që në 9 Prill të vitit 1939 deri në 29 Nëntor 1944 Shqipëria ishte e pushtuar në fillin nga Italia dhe më pas nga Gjermania.

Në fund të Nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, vendi i vetëm ku pushtuesi ishte ende prezent ishte Shkodra. Në 29 Nëntor u arrit që të çlirohej dhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun./tvklan.al

76-vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit bëjnë homazhe tek “Varrezat e Dëshmorëve”

Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe ministra të qeverisë e zyrtarë të lartë kanë bërë homazhe pranë “Varrezave të Dëshmorëve” në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit.

Foto nga ceremonia

Krerët e shtetit, me radhë njëri-pas tjetrit kanë vendosur kurora me lule dhe janë përkulur para monumentit “Nënë Shqipëri”.

Presidenti dhe qeveria kanë lënë pas ndasitë politike dhe sot janë parë pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë në ceremoni ishte e pranishme dhe ministrja Elisa Spiropali si dhe ministrja Olta Xhaçka.

Një ditë më parë homazhe pranë monumentit “Nëna Shqipëri” bëri dhe Lulzim Basha, i cili u shfaq pa asnjë shoqërues, duke respektuar masat anti-COVID.

Sot Shqipëria feston 76-vjetorin e Çlirimit dhe kujton dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut./tvklan.al