Reja aktivizon disa debutues në mbrojtje

Shqipëria e fitoi me rezultatin 2-1 vëllazëroren me Kosovën e luajtur në Elbasan, që shërbeu për të provuar lojtarë të rinj. Trajneri Edordo Reja i besoi në start disa debutuesve që u rreshtuan në mbrojtje. Albi Doka, Erjon Hoxhallari dhe 17-vjeçari Ramën Çepele iu bashkuan në këtë repart Ardian Ismajlit. Disa minuta edhe për një tjetër risi, Marsel Ismailgecin, i cili u aktivizua gjatë pjesës së dytë.

“Këto miqësore shërbejnë për të vlerësuar të rinjtë. Në këto ndeshje këta lojtarë gjejnë siguri. Sot pamë edhe gjëra që ia vlejnë prej tyre. Duhet t’i kemi në konsideratë për të ardhmen, pasi na duhen për Europianin e 2024. Shpresojmë që të bëhen pjesë e ekipit të parë, që tani bëjnë pjesë, por duhet të krijojnë eksperiencë”.

Kjo sfidë u pa dhe si një test para ndeshjeve të Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Goli i parë u shënua nga Balaj në minutën e 31’, pas një kombinimi me Uzunin. Në pjesën e dytë Kosova nisi të shfaqej më e rrezikshme, por Hoxha i cili hyri si zëvendësues i Berishës u shfaq i sigurtë.

Shqipëria shënoi sërish në të 65’ me kundërsulm. Uzuni përfitoi nga pasimi i Selahit. Golin e Kosovës e realizoi Muriqi me 11 metërsh në të 85’. Dardanët nuk patën në stol trajnerin Bernard Challandes, i cili rezultoi pozitiv me Covid-19 në para takimit. Shqipërinë tani e presin ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, ndërsa Kosova do të luajë me Slloveninë dhe Moldavinë.

Tv Klan