Kombëtarja shqiptare e futbollit e fitoi edhe ndeshjen e dytë miqësore. Me Azerbajxhanin suksesi erdhi në shifrat 3-1.

Loja filloi e shpejtë me ritëm dhe e qartë nga kuqezinjtë të cilët u paraqitën me formacionin më të mirë, me praninë e titullarëve që luajtën në eliminatore dhe Brojën në qendër të sulmit.

Por goli i parë erdhi nga numri 10, organizatori Nedim Bajrami shënoi një gol në të njëjtën mënyrë sikurse bëri edhe në barazimin ndaj Çekisë.

Vazhdimi i pjesës së parë ishte më i baraspeshuar, por gjithsesi loja u zhvillua më së shumti në gjysmëfushën e Azerbajxhanit.

Në pjesën e dytë Sylvinho rifreskoi skuadrën duke futur në fushë Manaj, Alijin dhe Mihaj dhe Arbër Hoxhaj në vend të Brojës, Mitajt, Gjimshitit dhe Asanit.

Por kuqezinjtë filluan të humbin kontrollin e topit duke i dhënë më shumë mundësi azerëve të bënin lojë sulmuese.

Kuqezinjtë vuajtën më pas që të rrezikonin portën kundërshtare, duke shfaqur shenja lodhjeje dhe ngadalësim të lojës.

Goli i dytë erdhi vetëm në minutën e 81. Aksion nga e majta nga Aliji i cili futi topin në zonë, Manaj goditi dhe goli erdhi pas një devijimi.

Por megjithëse rezultati dhe fitorja ishte e siguruar, në sytë e Sylvinho nuk kishte asnjë shenjë optimizmi.

Për t’u veçuar në këtë ndeshje Thomas Strakosha i cili bëri disa pritje në momente të rrezikshme me lëvizjet e tij të sigurta.

Por ashtu sikurse jemi mësuar gjatë eliminatoreve, futbollistët e kombëtares nuk e ndalën lojën deri në minutat e fundit kur me kundërsulm gjetën edhe golin e tretë, sërish me Bajramin pas një kombinimi me Qazim Laçin.

Më në fund gëzim tek Sylvinho dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Goli i vetëm i azerëve erdhi në minutat shtesë në zhvillimet e një goditjeje dënimi.

Kjo ishte dhe miqësorja e fundit e kombëtares kuqezi. Tashmë pas dy përballjeve trajneri Sylvinho i ka idetë e qarta se kë do të aktivizojë në sfidën e parë të Europianit që është ajo me Italinë. Ndërsa pritet që të shpallë listën finale me 26 lojtarë që do të ketë në këtë Europian. Të 51 sfidat e Euro 2024 do të transmetohen pa pagesë nga televizioni Klan.

Tv Klan