Shqipëria ishte vendburimi kryesor që furnizoi me kanabis dhe marijuane tregun italian të drogës, vitin e kaluar. Konstatimi vjen në raportin vjetor të Drejtorisë Qëndrore të Shërbimeve të Antidrogës të publikuar nga Ministria e Brendshme italiane.

Në raportin e publikuar thuhet se policia italiane sekuestroi 90 tonë drogë, gjatë gjithë 2017-ës. Bëhet fjalë për një rekord absolut që shënon më tepër se dyfishin e sasisë së konfiskuar vitin pararendës.

Raporti thekson se trendi i sekuestrimeve në Itali lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri. Përmendet rasti i asaj që konsiderohet si sasia më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në rajonin e Markeve, 8 tonë marijuanë të kapura në portin e Ankonës në shkurtin e vitit të kaluar, që trafikoheshin nga porti i Durrësit. Destinacion kishin tregun e Europës Veriore.

Raporti nënvizon se nga 135 të arrestuar në 2017-ën për trafik marijuane, 41 ishin shqiptare, një numër i barabarte me italianët e ndaluar.

Organizatat me drejtues shqiptarë renditen në krye të listës së grupeve të trafikimit të drogës në Itali.

“Klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj. Ata përdorin bimë me rendiment të lartë dhe metodat gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane. Grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës”.

Policia italiane ka konstatuar 25 grupe nga 94 raste të sekuestrimit të sasive të drogës. Mes 14 mijë të huajve të arrestuar  për trafik droge gjatë 2017-ës, raporti konstaton se 2 mijë janë shqiptarë, të cilët renditen të dytët për nga kombësia e të arrestuarve.

Tv Klan