Rrugës për në Luksemburg, ku në orën 18:00 do të nis Konferenca e Katërt Ndërqeveritare BE-Shqipëri, Edi Rama ka gjetur kohën qe t’i kthejë përgjigje opozitës, e cila ishte shprehur e bindur se nuk do të hapej më asnjë kapitull për shkak të keqqeverisjes së Ramës.

“Po si thanë kua-kua-kua e kënetës nuk ka më hapje kapitujsh, iku kjo punë e bllokoi BE narkoshtetin se vetë bufi shkoi në Evropë bashkë me qirje Dulen dhe as darkë më nuk i dhanë narkokryeministrit. E pra ja ku jam rrugës nga Brukseli në Luksemburg, ku sot pasdite hapet grup kapitulli i tretë i negociatave me BE, si tjetër dëshmi kokëfortë se ne po ecim pa u ndalur në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, zonjë në sallonin kryesor të BE.”, tha Rama

Vendimin e Këshillit Europian për t’u ulur këtë të hënë në tryezë me grupin negociator shqiptar, Rama e përkthen si konfirmim se vetëm ai dhe PS e anëtarësojnë Shqiperinë.

“Sot është një tjetër stacion që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë dhe sot jemi një hap tjetër më pranë objektivit tonë madhor, mbyllja e negociatave të anëtarësimit brenda 2027. Ky është objektiv super ambicioz por super i arritshëm vetëm nëse qëndrojmë bashkë por pa humbur për asnjë minutë lidhur dorë për dore dhe vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, seriozitet dhe unitet kombëtar në këtë rrugëtim historik. E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk është më aspiratë, por proces që po ecim përpara drejt portës së hapur për ne si asnjëherë më parë. Ky është momenti unë dhe zoti e desh që fati evropian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë. Le ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë me Evropën dhe të Evropës me Shqipërinë.”, tha Rama.

Në mëngjes, kryeministri Rama u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në Bruksel. Në një komunikim për mediat, përsëriti ambicien për mbylljen e procesit teknik pas 2 vitesh.

“Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, jam shumë shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027.”, tha Rama.

Costa siguron se zgjerimi i Be me vendet e rajonit tonë është në krye të axhendës së Brukselit, dhe Shqipëria sipas tij ka treguar progres.

“Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për BE dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, për begatinë dhe për stabilitetin e kontinentit tone dhe është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim.”, tha Costa.

Costa dhe Rama folën dhe për takimin e komunitetit politik europian në Tiranë në 16 Maj, ku ai do të jetë pjesë e që do ta shfrytëzojë dhe per një tur rajonal.


Konferenca ndërqeveritare e pasdites do të shenojë hapjen e grupkapitullit të dytë, ku negociohet per “Tregu i brendshëm”. Në përfundim të tryezës, sipas axhendës do të ketë në orën 19:30 një konferencë për shtyp të Ramës, Komisionerja Kos dhe Ministrit të Jashtëm të Polonisë, vendi që mban Presidencën e radhës së Këshillit Europian.

Tv Klan