Shqipëria hapi kapitullin e marrëdhënieve me jashtë atë të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes në konferencën e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE që u mbajt në Bruksel, Kryeministri Rama përsëriti ambicien për anëtarësimin e plotë të vendit brenda kësaj dekade.
“Ambicia jonë nuk është sekret, ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 dhe me shpresë që anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është një objektiv shumë ambicioz, por Komisioni Evropian na ka mbështetur”.
Rama tha se Shqipëria është në momentin më të mirë të historisë së saj ndërkohë që çelja e grup kapitujve konfirmoi konkretisht sipas tij se rajoni ynë është në vëmendjen e BE. Qeveria shqiptare pret të hapë pjesën më të madhe të kapitujve në vitin 2025.
“Shpresoj që ta bëjmë Shqipërinë Europën e Ballkanit Perëndimor. Për ta bërë këtë, ne na duhet të shikojmë me sytë e së ardhmes dhe jo të së shkuarës që e ka parandaluar vendin tonë dhe shtetet e tjera të rajonit që të progresojnë sa duhet. Them me bindje që në jemi në momentin më të mirë të historisë sonë dhe po ashtu edhe BE është në momentin më të mirë për të kuptuar që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e tij”.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se për dy muaj Shqipëria ka më tepër arritje sesa në 15 vite.
“Në 2 muaj kemi pasur 2 konferenca ndërqeveritare, dy kapituj janë hapur dhe kjo shpejtësi është e paprecedentë. Kjo paraqet sukses për Shqipërisë, presidencën hungareze dhe BE-në”.
Sipas tij Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer sa i përket grup kapitujve, duke e bërë anëtarësimin e saj në BE tejet të rëndësishëm.
“Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer për kapitujt që do jenë në këtë grupkapitull, si për marrëdhëniet me jashtë dhe sigurinë. Po e hapim këtë grup kapitull për politiken e jashtme në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara sepse është pjesë e NATO-s”.
Komisionerja për zgjerimin Marta Kos shprehu besimin se presidenca polake do të vazhdojë përpjekjet për të mbyllur të tjerë kapituj me Shqipërinë.
“Falënderoj presidencën hungareze dhe shpresoj se presidenca polake të vazhdojë përpjekjet e tyre për kapitujt e tjerë me mbylljen tyre brenda mandatit tim 5-vjeçar. Ky vendim është sinjal për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor sepse zgjerimi është prioritet për BE”.
Klan News