Shqipëria humb në fund me Turqinë

Posta

Shqipëria humb në fund me Turqinë

22:57 11/10/2019

Shqipëria humbi në fund takimin me Turqinë, duke venitur shpresat për kualifikim në Euro 2020. Kombëtarja u mund rezultatin 1-0 në sfidën e luajtur të premten në Stamboll. Kuqezinjtë, edhe pse treguan një lojë të mirë pësuan në minutën e 90’, duke çuar dëm përpjekjet e bëra gjatë takimit.

Kuqezinjtë ushtruan presion ndaj kundërshtarëve, duke u përpjekur t’i mbanin larg zonës. Tensioni bëri që gjyqtari të jepte disa kartonë të verdhë që në minutat e para. Lojtarët e Kombëtares u treguan të kujdesshëm në mbrojtje, duke lejuar pak, nga ana tjetër duke e kërkuar golin me kundërsulm.

Manaj pati mundësinë më të mirë në fundin e pjesës së parë, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar. Pas pushimit turqit u shfaqën më kërkues, por duke i krijuar mundësi edhe kuqezinjve të organizonin aksione të rrezikshme me Manajn që pati sërish shanse. Përfshirja e Roshit dhe më pas Abrashit e Balajt solli më tepër freski në sulm, por jo gol.

Cenk Tosun realizoi në të 90’ në momentin ku Shqipëria po krijonte rrezik te porta turke. Një mosmarrëveshje mes Ismajlit dhe Strakoshës solli golin që përcaktoi humbjen. Ndeshja e radhës e Shqipërisë që ka 9 pikë do të jetë të hënën në fushën e Moldavisë. Skuadra moldave e humbi me rezultatin 1-0 përballjen me Andorrën, Franca fitoi po 1 – 0 sfidën me Islandën në Rekjavik. Kreu i grupit është i Turqisë me 18 pikë, por aq sa përfaqësuesja Franceze.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi