Reja: Patëm përballë një kundërshtar me nivel

Kampionët e botës fituan edhe në Tiranë, pikërisht në ditën kur u inaugurua stadiumi e ri “Air Albania”. Franca mundi Shqipërinë me rezultatin 2-0 me kuqezinjtë që nuk e shfrytëzuan mbështetjen e më shumë se 20 mijë spektatorëve. Trajneri Edy Reja vë theksin te niveli i kundërshtarit.

“Mendoja një tjetër ndeshje mbi të gjitha në pjesën e parë, e nisëm mirë, por ishim më të ngadaltë në mesin e fushës dhe pastaj niveli i kundërshtarit. Në pjesën e dytë krijuam edhe disa mundësi dhe mund të shënonim, por edhe Berisha bëri pritje të mira”, tha ai.

Goli i pësuar shumë shpejt i goditi në aspektin psikologjik lojtarët e Kombëtares.

“Në minutat e para e nisëm mirë deri sa pësuam atë gol dhe na u prenë këmbët, por edhe skuadra e tyre fitoi vetëbesim dhe qarkullonte topin shumë mirë”, u shpreh Berisha.

Trajneri Didier Deschamps tha se kuqezinjtë ishin me kërkues në ndeshjen e luajtur në Tiranë se në takimin e parë. 

“Në ndeshjen që luajtëm në Francë ata u përballën me nivelin tonë më të mirë kështu që ishte e vështirë për ta. Sot kishim përballë një Shqipëri me shumë dëshirë dhe vendosmëri, por ne e kontrolluam mirë lojën dhe nuk ishte e lehtë për ta. Stadiumi ishte shumë i bukur. I mrekullueshëm. Tapeti i barit kishte nevoje për tu forcuar akoma më shumë”, tha ai.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne që të përfundim në krye të grupit dhe ia arritëm. E dinim që do të ishte një përballje e fortë ndaj një ekipi të mirë si Shqipëria. Luajtën mirë, pasi ishte ndeshja e parë në këtë stadium dhe të mbështetur nga tifozeria, por ne u paraqitëm më mirë dhe e merituam fitoren”, tha mesfushori Sissoko.

Shqipëria i mbylli kualifikueset e Euro 2020 me 13 pikë në vendin e katërt.

Tv Klan