Fundi i Janarit ka shënuar edhe kalimin e pragut epidemik sa i takon gripit stinor. Burime pranë Institutit të Shëndetit Publik, pohojnë për Televizonin Klan se aktualisht vendi është përfshirë nga epidemia gripale.

Përgjatë një jave, në poliklinika dhe qendra shëndetësore janë drejtuar mbi 19 mijë persona të prekur nga infeksione të rrugëve të sipërme respiratore.

Edhe në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raportohet se në vendin tonë kemi një qarkullim të shtuar të viruseve gripale, që janë të tipit AH1N1 dhe B.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dijë, se pavarësisht epidemisë, numri i rasteve është ndjeshëm më i ulët se ai i një viti më parë.

Deri më tani nuk raportohet të ketë asnjë rast të rëndë, si pasojë e prekjes nga virusi i gripi, megjithatë mjekët këshillojnë të bëhet kujdes, me ambientet e mbyllura ku grumbullohen shumë njerëz.

Për të shmangur grumbullimet në Urgjencën Pediatrike pranë Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza, Ministria e Shëndetësisë prej dy javësh ka vënë në funksion edhe 4 qendrat shëndetësore në Laprakë, Kombinat, Qendrën Shëndetësore Numër 8 në Bllok dhe 10 pranë Oxhakut. Në këto qendra është ngritur shërbim urgjence 24 orë për fëmijët.

Tv Klan