Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se ky “është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit europian”.

Fatkeqësisht, shton Basha, izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj sipas kreut të PD, largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari.

Por kreu i qeverisë i është përgjigjur me një thënie të Winston Churchill. “Problemet pas fitores janë më të kënaqshme se sa ato pas humbjes, por jo më pak të vështira”, shkruajti Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook.

/tvklan.al