Hasani: Nëse zgjidhemi, të vendosur të luajmë rol aktiv në sigurimin e qeverisjes së mirë
Në debatin plenar të sesionit të 42-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit shumëpalësh mes vendeve. Sipas ministrit Hasani, Shqipëria synon të jetë anëtare në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s në zgjedhjet e 15 nëntorit.
“Në botën e sotme të copëzuar, Shqipëria është e bindur se vetmja rrugë përpara është multilateralizmi aktiv dhe i ripërtërirë. Në këtë kontekst, ne mirëpresim me kënaqësi rikthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në UNESCO. Ky është një moment i rëndësishëm që përforcon përfshirjen e UNESCO-s dhe përforcon nismat dhe programet e saj në mbarë botën. Shqipëria angazhimet për të vënë në funksion Prioritetet Globale, duke rritur buxhetin për Afrikën dhe për barazinë gjinore”.
Ministri theksoi dhe nevojën e një angazhimi të shpejt për klimën.
“Aksionet për klimën dhe aksionet globale për oqeanet bazuar në shkencë mbeten në krye të agjendës tonë të përbashkët. Forcimi i lidhjes “natyrë, shoqëri, zhvillim” duke ndërlidhur njohuritë shkencore dhe lokale me qeverisjen gjithëpërfshirëse, mbetet thelbësore. Ne përgëzojmë punën e UNESCO-s në mbrojtjen e rezervave tona të biosferës, vendeve tona të trashëgimisë natyrore botërore dhe parqeve gjeologjike globale, duke kontribuar kështu në qëllimin global për mbrojtjen e sipërfaqes së Tokës”.
Hasani shprehu mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa tha se institucionet ndërkombëtare duhet të përkushtohen edhe më shumë për të mbrojtur të drejtat e njeriut në ato vende ku ato u janë mohuar qytetarëve.
“Lufta e paprovokuar dhe e paligjshme e agresionit të Rusisë vazhdon të shkaktojë vuajtje të tmerrshme njerëzore dhe shkatërrime. Në këtë drejtim, ne përgëzojmë përpjekjet e palodhshme të sekretariatit dhe zyrës së UNESCO-s në Kiev për mbështetjen dhe ndihmën për rimëkëmbje, gjatë mandatit të tyre. Shqipëria shpreh keqardhjen për përkeqësimin e situatës në Afganistan, ku grave dhe vajzave u është hequr e drejta për arsimim dhe ne i bëjmë thirrje sekretariatit të vazhdojë punën e tij për të mbështetur të gjithë afganët, në fushat e tyre të kompetencave. Ne gjithashtu përgëzojmë punën e rëndësishme të UNESCO-s në Irak, Jemen dhe Libi dhe në të gjithë botën”.
Ministri tha se Shqipëria mbështet lirinë e medias, barazinë gjinore dhe është e përkushtuar që kjo barazi të përforcohet edhe më tej.
Klan News