Ministri Hasani pret në takim homologun Kuleba

Shqipëria do të vijojë përpjekjet për rivendosjen e integritetit territorial, sovranitetit, pavarësisë dhe lirisë së Ukrainës, si edhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në deklaratën e përbashkët për media me kolegun e tij ukrainas, Dimitri Kuleba, pas zhvillimit të takimit dypalësh.

“Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj, trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare”.

Ministri Hasani konfirmoi gjithashtu mbështetjn e Shqipërisë për planin 10-pikësh të presidentit Zelenski për paqen.

“Plani me 10 pika i Presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5”.

Ministri Kuleba shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Ukrainës gjatë këtyre dy viteve luftë.

“Shqipëria është mike e mirë e Ukrainës dhe dua ta falenderoj për ndërmarrjen humanitare për rehabilitimin e fëmijëve ukrainas prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje është e vlerësuar”.

Dy ministrat e Jashtëm firmosën edhe marrëveshjen “Për punësimin fitimprurës të anëtarëve të familjes së anëtarëve të misioneve diplomatike ose posteve konsullore”.

Tv Klan