Igli Hasani: Të përkushtuar të vijojmë me prioritetet tona dhe bashkëpunimin me Këshillin e Sigurimit
Në mbylljen e mandatit dyvjeçar të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm Këshillin e Sigurimit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaron se vendi ynë do t’i vijojë prioritetet e punës përtej mandatit. Gjatë Debatit të Hapur të Këshillit të Sigurimit me temë mbi kërcënimin që paraqet trafikimi i paligjshëm i armëve të vogla, Hasani theksoi se Shqipëria zbaton të gjitha detyrimet për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kontrollit të armëve.
“Në të gjitha këto përpjekje, bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe. Në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, një vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit, koordinimit dhe veprimeve të përbashkëta nga të gjitha vendet, agjencitë përkatëse vendore dhe komuniteti ndërkombëtar. Në këtë kontekst, dua të përmend nismën franko-gjermane për armët e vogla dhe të lehta, në kuadër të Procesit të Berlinit, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për zgjidhjen e problemit të armëve të vogla në rajon, deri në fund të vitit të ardhshëm.”
Nga takimi i organizuar nga Shqipëria për përshpejtimin e programit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, u zotua se vendi ynë do të vijojë bashkëpunimin me Këshillin e Sigurimit, pavarësisht përfundimit të mandatit.
“Ishte detyra jonë që ta përkrahnim këtë program në të gjithë gjerësinë e punës së KS, nëpërmjet angazhimit proaktiv për të siguruar që axhenda të integrohej plotësisht dhe në mënyrë kuptimplotë në të gjitha aspektet. Pas pak ne do të përfundojmë mandatin tonë dy vjeçar në Këshill, por angazhimi ynë në fushën e Paqes dhe Sigurisë së Grave do të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë përpjekje të rëndësishme, jo vetëm këtu në Nju Jork, por edhe në Gjenevë e kudo.”
Ministri tha se kontributi i Shqipërisë për të garantuar paqen dhe respektimin e marrëveshjve ndërkombëtare do të jepet në çdo shtet.
Klan News