Shqipëria do të mbyllë të martën negociatat për kapitullin 20 mbi ndërmarrjet dhe Politika Industriale, gjatë konferencës së 10 ndërqeveritare.

Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Europian, takimi do të mbahet në Luksemburg në orën 17:00. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Rama.

Kapitulli përfshin mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve, digjitalizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Rezultatet e takimit do të prezantohen në orën 17.30 gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të ministrit iralandez për Çështjet Europiane Thomas BYRNE, komisioneres për zgjerimin e BE-së Marta KOS dhe kryeministrit Edi Rama.

Përparimin më të rëndësishëm të martën në procesin e integrimit e bën Mali i Zi, i cili do të mbylli të hënën edhe tre kapituj të tjerë, duke e çuar në 21 numrin e kapitujve të mbyllur nga 33 gjithsej. Synimi është që të përfundojnë plotësisht negociatat brenda presidencës irlandeze të BE-së në fund të këtij viti.

Gjatë të martës do të zhvillohen gjithsej tre konferenca ndërqeveritare, ku përveç Shqipërisë ka zhvillime për Ukrainën e Moldavinë që do të hapin dy kapituj të rinj.

Lajmin e përshëndeti kreu i Këshillit Europian Antioni Kosta.

“E mirëpres vendimin e marrë nga shtetet anëtare të BE-së për të hapur dy kapituj të rinj negociatash me Ukrainën dhe Moldavinë. Presim me padurim hapjen e të gjithë të tjerëve sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai në një postim në X.

Më herët, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos deklaroi se zgjerimi i BE-së po ecën në rrugën e duhur dhe Brukseli po u përgjigjet vendeve që po përmbushin reformat.

 “Pas vendimit të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë.”

Zgjerimin si një nga përparësitë kryesore të presidencës irlandeze të BE-së e konfirmoi edhe ministri irlandez për Çështjet Europiane, Thomas Byrne.

Më vonë gjatë këtij muaji, Komisioni Europian pritet të publikojë udhërrëfyesit e anëtarësimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera pararojë të procesit. Dokumentet do të përcaktojnë reformat dhe hapat që këto vende duhet të ndërmarrin për të avancuar më tej drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

/tvklan.al