Nën vëmendje të veçantë udhëtarët që vijnë nga Kina

Shqipëria nis marrjen e masave për parandalimin e virusit që ka prekur Kinën. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik janë marrë masat paraprake në zbatim rregulloreve ndërkombëtare për të vendosur një sistem survejimi, sipas shkallës së rrezikshmërisë.

“Duhet thënë se Shqipëria është momentalisht në një risk të ulët, por kjo nuk do të thotë që të mos marrim masa. Në zbatim të udhëzimeve të OBSH-së në kemi nxjerrë një urdhër që parashikon të gjitha përgjegjësitë e institucioneve. Kemi gati planin e masave, që sipas shkallës së rrezikshmërisë të aktivizohen edhe planet e emergjencës”, shprehet ministrja Ogerta Manastirliu.

Burime zyrtare për TV Klan bënë me dije se në Ministrinë e Shëndetësisë do të zhvillohet një takim me ekspertë të shëndetësisë në lidhje me riskun e vendit nga koronavirusi. Përsa u përket kontrolleve në aeroporte, Ministria e Shëndetësisë thotë se nëse do të ketë sinjalizime për udhëtarët nga Kina, atëherë edhe në aeroportin e vetëm të vendit do të merren masa.

Ndërkohë që alarmi vjen dhe nga Italia fqinje ku dyshohet se një person është prekur nga virusi vdekjeprurës. Koronavirusi shkakton rrufë të lehtë e deri në sëmundje më të rënda si Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme, Mers apo Sars. Duke qenë infeksion i rrugëve të frymëmarrjes ka shumë ngjashmëri me infeksionet virale, qoftë stinore apo edhe gripi.

Tv Klan