Shqipëria mori presidencën e radhës të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore (MNRA), ndërsa mirëpriti në Tiranë për herë të parë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të. Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, në fjalën e saj foli për sfidat e mjedisit të sotëm mediatik, por edhe të enteve rregullatore të cilat vijnë për shkak të zhvillimit të madh të teknologjisë.

“Vitet e fundit kanë shënuar një bum të panjohur më parë teknologjik. Aktualisht, autoritetet rregullatore të medias, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë që kemi përpara, prandaj po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor të VSP-ve”.

Sipas kryetares së AMA, Autoritet Rregullator Shqiptar, në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE, ka miratuar disa ndryshime ligjore, që i japin këtij autoriteti më shumë kompetenca.

“Forcuam kompetencat e AMA-s, duke rritur rolin e saj në inkurajimin e aktorëve dhe transmetuesve që operojnë në tregun shqiptar për edukimin mediatik të publikut; sigurojmë rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatik audioviziv; hedhim një hap më tej në forcimin e mbrojtjes së dinjitetit, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçanërisht të fëmijëve, nga përmbajtjet që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre fizik, mendor ose moral; inkurajojmë vetërregullimin dhe bashkërregullimin”.

Në takimin e nivelit të lartë, ishin të pranishëm krerët e enteve rregullatore të medias të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s Itali, Giacomo Lasorella, përfaqësues të platformës së Facebook, Tik-Tok, përfaqësues nga UNESCO etj.

Në panelet e diskutimit u fol mbi zhvillimin e teknologjisë dhe platformat online, kujdesi që duhet ndaj të miturve, ndërsa arritën në përfundimin se mediat duhet të rriten më shumë profesionalisht sa i përket kontrollit të fakteve dhe gjetjen e origjinës së dezinformimit. Rrjeti Mesdhetar i Enteve Rregullatore numëron 27 anëtarë të cilët bashkëpunojnë mes tyre, dhe tashmë presidencën e ka Shqipëria.

Tv Klan