Manastirliu: Vaksinimi i mësuesve shtrihet në gjithë vendin

Një tjetër sasi vaksinash nga Pfizer mbërrijnë në Shqipëri këtë të hënë. Lajmin e bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një intervistë për Televizionin Klan.

“Janë më shumë se 9 mijë doza të Pfizer, të cilat mbërrijnë sot dhe fillon menjëherë vijimi i vaksinimit sa i përket dozave të dyta. Ne kemi kryer më shumë se 24 mijë vaksinime që janë personel mjekësor, të moshuar +80 dhe të moshuar në shtëpitë e të moshuarve”.

Veç mjekëve dhe të moshuarve që prej të shtunës procesi i vaksinimit ka nisur edhe tek mësuesit. Tirana ishte e para që po e injektoi vaksinën AstraZeneca në këtë kategori.

“Ditën e shtunë kemi vaksinuar 5 shkolla, rreth 200 mësues”.

Nga kjo e hënë procesi i vaksinimit për mësuesit është shtrirë në të gjithë vendin.

“Në të gjitha njësitë vendore të kujdesit shëndetësor janë shpërndarë dozat e vaksinës, është bërë organizimi nëpërmjet drejtorive arsimore rajonale. Po bëhet edhe një organizim ku shkolla të caktuara do të shërbejnë si qendra vaksinimi në një grup shkollash në një territor të caktuar”.

Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit në 11 Janar të 2021, fillimisht me dozat e Pfizer dhe që prej 13 Marsit po injektohet dhe AstraZeneca.

Tv Klan