Zëri i Amerikës: Zoti Gjeneral! Stërvitja “Defender Europe 21”është vlerësuar si më e madhja, që është zhvilluar ndonjëherë më parë në këtë rajon. A mund të na tregoni mbi përmasat dhe qëllimet e stërvitjes?

Gjeneral Bajram Begaj: Faleminderit për interesimin dhe praninë tuaj këtu në shtabin e forcave të armatosura. Pyetja juaj është shumë e rëndësishme edhe për vet forcat e armatosura shqiptare. Stërvitja “Defender Europe 2021” është stërvitja më e madhe e zhvilluar ndonjëherë në rajonin tonë dhe është ngjarje jo vetëm ushtarake për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë, por për vendin tonë është më shumë edhe si një ngjarje kombëtare. Kjo stërvitje është e përmasave të mëdha, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes, por edhe për shkak të rëndësisë së saj. Nga përmasat mund të flasim në nocionin gjeografik: kjo stërvitje përfshin një territor mjaft të gjerë që nga Afrika e deri në Europë, por në vijë frontale përfshin vendet e Europës veriore nga Baltiku, Deti i Zi dhe Ballkanit Perëndimor. Përfaqësimi në këtë stërvitje do të jetë me prezencë të madhe trupash: mendohet të marrin pjesë rreth 30 mijë trupa dhe do të jenë të pranishëm edhe 26 vende anëtare të NATO-s, të cilët do të jenë me prani trupash gjithashtu. Për vendin tone, ky eveniment ushtarak është shumë i rëndësishëm për faktin që Komanda Amerikane e Europës dhe Afrikës organizon këtë stërvitje për herë të parë në rajonin tonë me rëndësinë që e shprehin edhe vet e përmasat e saj. Me këtë vlerësim Shtetet e Bashkuara shprehin vendosmërinë, aftësinë, sigurinë dhe që janë garant i sigurisë dhe mbrojtjes së Europës Qendrore, Veriore dhe për rajonin tonë delikat të Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Çfarë synon kjo stërvitje, e cila kërkon edhe një bashkërendim midis kaq shumë kombesh?

Gjeneral Bajram Begaj: Stërvitja përvec planeve dhe komunikimit strategjik që bën në vetvete, ka dhe një interes ushtarak per faktin që rrit dhe teston aftësinë dhe gadishmërinë operacionale të forcave aleate. Së dyti bën komunikimin dhe ndërveprueshmërinë midis pranisë së trupave nga vende të ndryshme për të vepruar në nivelin taktiko operacional.

Po kështu synohet përdorimi efektiv i kapaciteteve të përbashkëta në një stërvitje me kaq gjerësi dhe me kaq shumë forca pjesëmarrëse. Në planin ushtarak kombëtar, si forca të armatosura të Shqipërisë, kjo stërvitje na jep mundësinë që ne të bëjmë testimin e aftësive tona operacionale të njësive dhe strukturave tona, të cilat janë të deklaruara dhe të certifikuara për pjesëmarrëse në Aleancë në vendet dhe rajonet, ku ata e shikojnë të arsyeshme të marrë pjesë.

Gjithashtu nxirren mësime për të garantuar stërvitje më cilësore në të ardhmen dhe që trupat tona të jenë të përkushtuara dhe angazhuara në të ardhmen në pjesëmarrjen në operacionet e përbashketa në Nato. Organizimi I kësaj stërvitjeje në kushtet e pandemisë është një arritje e madhe për faktin që ne këto situate të vecanta arrijmë që të organizojmë një stërvitje të përmasave kaq të mëdha.

Zëri i Amerikës: Cila është pjesa dhe roli që ka marrë përsipër ushtria e Shqipërisë?

Gjeneral Bajram Begaj: Ne e falenderojmë aleatin tonë strategjik, SHBA-të, që na pëzgjodhën si vend mikpritës i stërvitjes. Kjo dëshmon një akt besimi që SHBA kanë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ne do të marrim pjesë me mjete dhe trupa tokësore, detare, ajrore dhe do të ketë pjesëmarrje nga struktura të tjera të mbështetjes, komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike. Ne do të testojmë kapacitetet tona infrastrukturore, mbështetëse, logjistike, koordinuese dhe bashkëpunuese me institucionet e tjera civile në vend. Roli mikpritës i kësaj stërvitje, me fjalë të tjera, ka të bëjë me vënien në dispozicion të kësaj stërvitjeje të kapaciteteve tona aero-portuale, detare, infrastrukturës rrugore për kalimin tranzit të trupave dhe mjeteve nëpër Shqipëri për t’u dislokuar në vende të tjera të rajonit. Stërvitja kërkon koordinim dhe bashkëpunim të gjithë strukturave të vendit. Për këtë falenderoj institucionet për ndihmën e plotë, nga parlamenti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ministrinë e mbrojtjes etj.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të thoni lidhur me angazhimin profesional dhe sasior të ushtrisë së SHBA-ve, sepse ata kanë rol thelbësor dhe po sjellin trupat dhe përvojën e tyre?

Gjeneral Bajram Begaj: Stërvitja është komplekse dhe shumë e gjerë në pikëpamjen ushtarake. Ka prani trupash, mjetesh dhe elementë të tjerë, që lidhen me kapacitetet logjistike dhe të komunikimit. Stërvitja do të kryhet në rajone të ndryshme të Shqipërisë, Durrësi, Biza, Rinasi, Kuçova, Farka etj. Trupat amerikane në vendin tonë mund të arrijnë 3 mijë ose 4 mijë të pranishme nga Komanda Amerikane për Europën dhe Afrikën. Natyrisht do të kishte edhe kapacitet logjistik, mbështetëse, akomoduese dhe komunikuese të ushtrisë amerikane.

Zëri i Amerikës: Ndërsa nga pikëpamja shtetërore marrëdhëniet shqiptaro – amerikane gjithmonë vlerësohen si të niveleve më të shkëlqyera. Si do ta vlerësonit ju bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, duke marrë shkas nga kjo stërvitje?

Gjeneral Bajram Begaj: Kjo stërvitje në vetvete tregon forcën e kohezionit të Aleancës. Bërja e kësaj stërvitje me aleatin tonë strategjik, SHBA-të, tregon mësë miri vlerësimin e opinionit publik si dhe vlerësimin e vendeve të Aleancës, që përfshihet në raportin vjetor të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, i cili thotë se 79 për qind e qytetarëve vlerësojnë bashkëpunimin e Amerikës së Veriut me Europën në çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes si shumë të rëndësishëm. Në këtë aspekt, bashkëpunimi dhe zhvillimi i kësaj stërvitje në vendin tonë tregon që aleati ynë strategjik ka besim tek Shqipëria, ka besim te forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe vlrëson kapacitetet tona ushtarake si të afta dhe dëshmojmë se jemi nje vend anëtar i denjë i Aleancës së NATO-s. SHBA-të kanë bërë investime të konsiderueshme të forcat tona të armatosura. Mbështetja ka qenë ligjore, konceptuale, doktrinare, strukturore. Kurora e gjithë këtij bashkëpunimi ka qenë asistenca e vazhdueshme teknike në lidhje me riorganizimin e forcave të armatosura shqiptare; shdërrimin e saj në një forcë të vogël në numër, por e aftë të përballojë çdo sfidë si anëtar i NATO-s. E rëndësishme është pjesëmarrja në misione, në operacione dhe kontribute të përbashkëta me SHBA-të. E ka përmendur edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, se një nga priritetet e qëndrimit të saj këtu në Shqipëri është edhe mbrojtja. E falenderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me SHBA-të. Për forcat e armatosura shqiptare kontributi i SHBA-ve ka qenë jo vetëm në asistencë teknike, por edhe në trajnimin dhe edukimin e personelit shqiptar. Bashkëpunimi në këtë fushë është kontributi më i rëndësishëm, i gjithanshëm dhe pamatshëm. Ky kontribut i qenësishëm shërben drejt një kulture të re dhe reformimit të mentalitetit të forcave tona të armatosura.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni disa nga investimet më të fundit të SHBA-ve ër ushtrinë shqiptare?

Gjeneral Bajram Begaj: Investimet e SHBA-ve në modernizimin e ushtrisë shqiptare janë të pamatshme. Së fundi vijnë pas pak kohe helikopterë luftarakë të tipit Black hok, të pajisjes së forcës tokësore me armatim të ri, me pajisje të kimisë, dhe me projekte mbi sigurinë kibernetike, apo me projektin e radarit. Këto janë të rëndësishme jo vetëm pse na pajisin ne, por edhe për faktin se këto prjekte janë të lidhura si paketë totale. Përveç pajisjeve, ne marrim edhe edukimi, trjanimin dhe mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve.

Zëri i Amerikës: Si po shkon puna me projektin e aeroportit të Kuçovës?

Gjeneral Bajram Begaj: Një kontribut të rëndësishëm për aeroportin e Kuçovës kanë dhënë edhe SHBA-të. Ai është një projekt për modernizimin e kësaj baze ajrore, duke e shndëruar atë në një bazë ajrore taktike. Vlerësimi për këtë është i gjithë Aleancës dhe kjo është për meritë të forcave të armatosura të Shqipërisë, e cila ka marrë pjesë në një seri misionesh të kërkuara. Unë e lexoj vendimin e Aleancës për të modernizuar bazën e Kuçovës si një besim i Aleancës tek Shqipëria dhe tek forcat e saj të armatosura./VOA