Shqipëria fitoi me Andorran duke siguruar kështu 3-pikëshin e parë të kualifikueseve të Euro 2020. Që në fillim të takimit kuqezinjtë ushtruan presion ndaj një kundërshtari të dobët që gaboi në minutën e 21. Futbollistët dhe portieri i Andorras nuk mundën ta kontrollonin një top dhe nga ky moment përfitoi Armando Sadiku që lehtësisht e çoi topin në rrjetë.

Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema pati edhe dy raste të tjera por e pafat për t’i kthyer në gol. Në pjesën e dytë vendasit e rritën lojën e tyre dhe kjo i vuri në vështirësi kuqezinjtë të cilët edhe pse dominuan kontrollin e topit, nuk ishin të aftë të ndërtonin aksione.

Ndërrimet e bëra në 20 minutat e fundit të lojës sollën freski në skuadrën shqiptare, por goli i dytë erdhi sërish me fat. Ishte një gabim i vendasve që i dha mundësinë Balajt që të rrëmbejë një top dhe të shënojë golin e dytë të kësaj sfide.

Në sekondat e fundit, Shqipëria fitoi një goditje dënimi pranë zonës. Memushaj godet, portieri vendas pret dhe topi përplaset në traversë por aty gjendet Abrashi që me kokë shënoi golin e tretë.

Veç pikëve, kjo fitore i shërben skuarës kombëtare edhe për moralin. Kombëtarja do të rikthehet në ndeshjet e Europianit në Qershor me dy takime ndaj Islandës në Rejkjavik dhe ndaj Moldavisë me shumë mundësi në Arenën Kombëtare në Tiranë. Deri atëherë me gjasë do të ketë edhe një trajner të ri.

Tv Klan