Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se Shqipëria mund të kërkonte zbatimin e nenit 5 të NATO-s pas sulmit kibernetik të Iranit, por në fund zgjodhi të mos e ndërmerrte atë veprim. Berisha tha se Rama duhet t’i kërkonte NATO-s zbatimin e këtij neni për patronazhistët pas publikimit të të dhënave për pagat dhe targat.

“Pastaj e fundit për ta mbyllur. Thotë se do i kërkoja NATO-s të fusë artikullin 5 të NATO-s, Pandeli. Po ta kërkojë atë për Iranin, të kërkojë njëherë për patronazhistët artikullin 5 të NATO-s. Kush i nxorri të dhënat e patronazhistëve? Irani, apo ajatollahu i Kryeministrisë? Cili?”, tha Berisha.

Ndërkohë një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se, “Në fund, Shqipëria vendosi të mos e ndërmerrte atë veprim. Ishte e tepërt për ne të mendojmë dhe të arrijmë në vendimin se duhet t’i kërkojmë NATO-s të nxisë zbatimin e Nenit 5”.

Kjo dispozitë e traktatit të atlantikut përcakton se palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe secila nga ato do të ndihmojë palën e sulmuar duke përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Nëse qeveria shqiptare do ta kishte ndërmarrë këtë hap atëherë kjo do të ishte hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s përdor një sulm kibernetik për të kërkuar zbatimin e Nenit 5./tvklan.al