Si vendi i nderit në panairin ndërkombëtar më të madh të turizmit global që po mbahet në Berlin, Shqipëria i është prezantuar sërish botës, 360 gradë, me të gjitha bukuritë dhe potencialin e saj.
E ndërsa sytë ishin në ceremonië hapëse, Shqipëria çoi në Berlin atë për të cilën është folur kaq shumë, kulturën e saj. I pranishëm në ceremoninë hapëse ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria tani nuk është më një perlë e fshehur e Europës, por një vend që po shndërrohet në një fuqi turistike.
“Unë bie dakord me Bild, nuk jemi më një perlë e fshehur. Po shndërrohemi në një fuqi turistike dalëngadalë së paku kur matemi për të ardhurat për frymë. Rritja ka shënuar 80% vetëm gjatë 5 viteve të fundit, çka vërteton se Shqipëria është një yll në ngjitje që po mbërthen vëmendjen e botës.”
Edhe pse vendi ynë renditit ndër vendet me perfomancën dhe rritjen me të lartë turistike në botë, nga Berlini shefi i qeverisë tha se ky është vetëm starti i një rruge të gjatë.
“Me një kombinim të përsosur përballueshmërie peizazhesh mahnitëse Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të nxehta turistike të botës dhe ky është vetëm fillimi. Është fillimi sepse presim me padurim të kemi një të ardhme dhe më të shndritshme ekonomike, një rritje të qëndrueshme që do të formësohet, jo vetëm nga të qenit tërheqës si destinacion turistik, por dhe nga roli ynë si model për turizmin miqësor ekologjik si dhe eksperiencat luksoze. “
Prezencën si vend nderi në “ITB Berlin”, Rama e quajti një eksperiencë që askush nuk e kishte imagjinuar më parë.
“Për ne, të kemi këtë vend në ITB Berlin është diçka që askush, vërtetë askush në vendin tonë nuk e imagjinonte që do të ndodhte sa të ishte gjallë. Jo vetëm që po ndodh, por është një përvojë kaq përulëse e një njohje kaq frymëzuese. më lini t’ju them që për gjysmë shekulli ne nuk patëm mundësi të luanim në Perëndim, por tashmë për çudinë e të gjithëve Unioni po luan më mirë se Hertha me sa kuptoj. Kështu që, kjo është ajo çfarë kërkojmë. Nuk kërkojmë ndere, kërkojmë vetëm lojë të ndershme.”
Në ceremoninë hapëse, drejtuesit e panairit, por edhe të organizmave më të mëdha dhe të rëndësishme të turizmit në botë vlerësuan zhvillimin turistik që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit.
“Shqipëria po përjeton një zgjim të madh të turizmit dhe të bëhet destinacion madhor dhe jo vetëm, ekskluzivisht për pushimet verore të të huajve. Shqipëria po e kupton siç duhet këtë. Dy vjet më parë Lumi Vjosa u shndërrua në park kombëtar të lumit të egër në Europë, si trashëgimi kulturore, është gjetje e duhur për të rritur turizmin dhe ka përjetuar rritje prej atëherë.”
Në panairin botëror të turizmit marrin pjesë 170 vende me 5800 ekspozues, ku deri në 2034 parashikohet që industria turistike të vlejë deri në 16 trilion dollarë, 100 mln vende të reja pune në botë.
Në ceremoninë hapëse në Berlin në podium ishte “Shkodra Eleketronike” me këngën e saj ‘Zjerm’, si dhe grupe valltarësh që shpalosën një spektakël ngjyrash e tingujsh.
Tv Klan