Ishulli i Princit Edward në Kanada, Chengu, qyteti i lashtë në Kinë, dhe plazhet e bukura të Senegalit janë vetëm disa nga vendet që, CNN, pasi është këshilluar me ekspertë të turizmit në gjithë botën, sugjeron për tu vizituar gjatë vitit 2017. Një nga 17 propozimet është edhe Shqipëria. I renditur në vendin e 12, vendi ynë i këshillohet turistëve, jo vetëm për ushqimin e lirë, motin me diell, por edhe për të vizituar me dhjetëra bunkerë, disa prej të cilëve janë transformuar në qendra kulturore, ku mund të prekësh të shkuarën, përmes artefakteve të një regjimi të egër komunist.

Shqipëria shkruan CCN, që për nga kuzhina përngjan me fqinjin e saj, Greqinë, vazhdon të qëndrojë në klasifikimet e vendeve për tu vizituar edhe përgjatë 2017. Lista e propozimeve vazhdon me vende si Kolumbia, që këtë vit pritet të vizitohet nga Papa Françesku, Jordania, dhe konkretisht, Ammani, i pagëzuar si kryeqendra e kulturës islamike për 2017, ku mund të vizitosh disa nga kryeveprat e artit dhe kulturës myslimane apo Bermuda, që për herë të parë do të mirëpresë, një nga garat më të rëndësishme me varka, America’s Cup Race.

Mes vendeve ku mund të kalosh pushime, në listën prej 17 shtetesh të CNN-it janë edhe qyteza e Aarhus në Danimarkë, për netët e saj më hënë të plotë apo Bordeaux të Francës, e njohur ndryshe si “bukuroshja e fjetur”, që vit pas viti po shikohet si Parisi i vogël kur bëhet fjalë për verën ushqimin dhe miqësinë e mirë.

Tv Klan