Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, Serbinë, Spanjën dhe Letoninë

Bekim Balajn nuk mund ta shikojmë në këto finale të Euro 2020 t’i shënojë Spanjës, por sulmuesi i Kombëtares mundet ta bëjë në Kampionatin Europian të lojërave elektronike, Pro Evolution Soccer.

Sabion Molishti është një nga lojtarët e Shqipërisë në këtë garë interesante që organizohet nga UEFA. Me nofkën ‘Antreas FC 88’, 31-vjeçari do të përballet në fazën kualifikuese me Anglinë, Serbinë, Spanjën dhe Letoninë. 

“Shorti ynë është më i zjarrti, por nuk i trembem asnjë kundërshtari, pasi futbolli është i paparashikueshëm”.

Sabioni, i cili jeton në Francë, ka marrë pjesë në shumë turne të tillë dhe tani synon të bëhet pjesë e më të mirëve të kontinetit.

“Do të jetë finalja e madhe në Londër, ku do të jenë 16 lojtarët më të mirë dhe shpresoj që atje të jem dhe unë. Forca Shqipëria”!

Faza kualifikuese e Europianit të Playstation do të mbahet nga Marsi deri në Maj, ku Shqipëria do të ketë dy përfaqësues.

Tv Klan