Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore. Pas 30 ditë fushate elektorale, partive politike dhe kandidatëve për deputetë nuk u lejohet më që të bëjnë propagandë elektorale apo të kërkojnë mbështetje nga votuesit.
Në zgjedhjet e së dielës të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.
Ndërkohë që rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në gjithë Shqipërinë do të hapen 5225 qendra votimi.
Këto zgjedhje vijnë me disa risi, pasi për herë të parë emigrantët kanë patur mundësinë të votojnë nga jashtë, ndërsa listat e kandidatëve janë një miksim mes listës së hapur dhe listës së mbyllur.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë dhe në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.
Tv Klan