Në tre vitet e ardhshme Shqipëria do të ketë një mandat në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, i dytë ky pas mandatit 2015-2017.

Në fjalimin e segmentit të nivelit të lartë që është mbledhur në Gjenevë në sesionin e 55 të këtij këshilli, ministri i Jashtëm ka folur për prioritetet që do të ketë Shqipëria në mandatin e saj.

E në krye të listës sipas Hasanit është vendosja përpara drejtësisë e autorëve të krimeve të luftës në Ukrainë, për zbulimin e të cilëve Këshilli i të Drejtave të Njeriut ka ngritur dhe një komision hetimor.

“Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojmë fort, së bashku me partnerët, aleatët dhe vendet të njëmendta drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët. Më 28 Shkurt do të presim në Tiranë, Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, për të mbështetur Ukrainën dhe për të denoncuar këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai”.

Hasani foli me shqetësim dhe për situatën në Gaza dhe situatën e rënduar humanitare.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për të ndaluar luftimet, të sigurojmë ndihmën e menjëhershme humanitare për popullatën e pafajshme civile të Gazës dhe duhet të punojmë me guxim dhe vendosmëri për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt, që gjatë dekadave ka shkaktuar kaq shumë pikëllim dhe tragjedi për të gjithë ata që janë të përfshirë”.

Ministri pohoi se vendi ynë po punon për të mbështetur pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, në punën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe në terren.

Tv Klan