Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike të Tregut Unik të Pagesave në Euro “SEPA” përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian. Sipas Bankës së Shqipërisë, përfshirja e vendit tonë në këtë treg do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik.

Gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel, Guvernatori Gent Sejko theksoi se të gjitha vendet e Rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë kanë bërë përpjekje maksimale për anëtarësimin në SEPA.

“Pjesëmarrja në SEPA është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të hartuar nga Komisioni i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një objektiv afatgjatë për Bankën e Shqipërisë dhe vendin tonë. Prandaj, Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë standardet e larta të vendosura nga “SEPA” për sa i përket efikasitetit dhe sigurisë së pagesave. Ekonomia shqiptare është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian.”

Banka e Shqipërisë nënvizon se përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë nga SEPA, mund të arrijë në miliona Euro.

“Përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit evropian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ka një sërë përfitimesh të konsiderueshme për konsumatorin, bizneset dhe ekonominë shqiptare. Ajo ofron pagesa ndërkufitare në Euro, me të njëjtat kosto si ato brenda vendit dhe pas anëtarësimit, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë, janë të mëdha dhe mund të arrijnë deri në 20 milionë Euro në vitin e parë.”

Më 12 Qershor 2024, Guvernatori Gent Sejko firmosi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin për në SEPA, duke u bërë vendi i parë në Rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht aplikimi po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave.

Klan News