Marrëveshja me distributorin turk, por nuk publikohet për shkak të sekretit tregtar

Shqipëria do të marrë vaksina edhe nga Kina. Në Fletoren Zyrtare është publikuar këtë të martë akti normativ që miraton tekstin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar turk “Keymen ilaç Sanayi ve ticaret” a.ş. për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid-19 (vero cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac life Ccience co ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës.

CoronaVac njihet si vaksina Sinovac për Covid-19 dhe është një vaksinë e inaktivizuar kundër koronavirusit Covd-19. Ajo është zhvilluar nga një kompani kineze të quajtur Sinovac Biotech. Faza e tretë e testeve klinike të kësaj vaksine është kryer në disa shtete si Brazili, Kili, Indonezia, Filipinet dhe Turqi.

Por çfarë thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare? Marrëveshja për furnizimin me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur nga kjo kompani nuk do të publikohet në asnjë prej faqeve zyrtare të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare. Po ashtu në vendim institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, miratimin apo që janë pjesë e procesit, pra Ministria e Shëndetësisë, Ministri i Rindërtimit dhe ISHP, kanë detyrimin që të mos bëjnë publike marrëveshjen.

“1.Miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”A.Ş., për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science CoLtd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
2.Marrëveshja për furnizimin ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.
3.Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
4.Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës antiCovid, të përcaktuara në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për furnizimin e vaksinës së inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell), Coronavac të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, të furnizuar për Shqipërinë nga Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret A.Ş.,sipas kushteve të tekstit të marrëveshjes bashkëlidhur këtij akti normativ”,
thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Shqipëria aktualisht po përdor edhe 3 lloje të tjera vaksinash si ajo e Pfizer, AstraZeneca dhe Sputnik V. Në vendin tonë deri tani kanë mbërritur mbi 90 mijë doza të vaksinave antiCovid. /tvklan.al