Sytë e të gjithë shqiptarëve do të drejtohen nga “Arena Kombëtare” mbrëmjen e sotme, pasi në fushë zbresin kuqezinjtë e Sylvinhos.
Kombëtarja Shqiptare luan një prej 90 minutëshave më delikat në këtë grup kualifikues të Botërorit 2026, teksa Andorra konsiderohet si “rivali” më i lehtë në letër.
Humbjet në takimet e para shihen edhe si takimi që vlen pikët e para për dy kombëtaret. Për këtë fakt, tekniku Sylvinho besohet të hedh në fushë një skuadër me cilësi sulmuese.
Skuadër e ngjashme me atë që zbriti ndaj “Tre Luanëve”, me styllën kryesore që do ta përbëjnë Gjimshiti, Ajeti, Ramadani, Asllani, Laçi dhe Uzuni.
Në seancën e fundit stërvitore, braziliani ka pasur grupin e plotë. Strakosha ka hedhur pas krahëve problemet fizike dhe sipas gjasave do të jetë i gatshëm për këtë takim.
Në këtë mënyrë, dueli me Kastratin duket se do fitohet prej tij. Reparti i mbrojtjes pritet të konfirmohet, me Balliun, Gjimshitin, Ajetin dhe Aliji që hipotekojnë fanellën e titullarit.
Asllani, Ramadani e Laçi treguan nivel të lartë në “Uembli” dhe besohet të jenë sërish në fushë. Ndryshime në sulm, me Brojën që falë shkëndijave kundër Anglisë besohet ta nis nga minuta e parë ndaj Andorrës për të ulur në stol Asanin.
Si shokë reparti pritet të ketë Uzunin e Bajramin, me këtë të fundit që u zëvendësua në minutën e 63-të përballë Anglisë për t’i lënë vendin Brojës.
Formacion me cilësi sulmuese, me Sylvinhon që shpreson të gjejë sa më shpejt rrjetën për të marrë edhe pikët e para në këtë fushatë kualifikuese të Botërorit 2026.
Pavarësisht kushteve atmosferike të lagështa, pritet që në stadiumin kombëtar të jenë mbi 15 mijë tifozë. Emocionet e kësaj sfide do të transmetohen ekskluzivisht dhe falas në televizionin kombëtar Klan.
Klan News