Marrëveshjen e firmosur me Italinë për emigrantët, Kryeministri Rama e cilësoi një punë sfiduese që dëshmon se Shqipëria po sillet si një vend i Bashkimit Europian. Mesazhin, kreu i qeverisë e dha nga Brukseli, ku merr pjesë në Komitetin Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale.

Ne po sillemi si vend anëtar i BE-së dhe po pranojmë që një vend anëtar i BE të ndajë me ne peshën e përgjegjësinë për t’u përballur me një çështje kaq të vështirë në kontekstin kur migracioni i paligjshëm është bërë ushqim i politikës së përditshme dhe debateve për zgjedhjet e radhës e më tej. Ne nuk jemi shtet anëtar i BE dhe nuk na detyron asnjë marrëveshje për t’u përfshirë në atë që ju e quani punë e pisët. Është një punë sifduese dhe të mos ta bësh këtë punë si duhet sot mund t’i shkaktojë BE-së dëme që nuk jam i sigurt se mund të parashikohen sa katastrofike mund të jenë”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij malazez, Rama u ndal edhe tek integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke e cilësuar planin e rritjes ekonomike si hapin e parë që vendet e rajonit të jenë pjesë e Unionit.

Duke mos i fshehur edhe kësaj here rezervat për BE-në, Rama tha se u desh goditja e Putinit ndaj Ukrainës, që Unioni të jetë i vetëdijshëm që BE të kthente sytë nga Ballkani Perëndimor.

“Është e trishtë që të duhej Putini që të ndodhte kjo. Besoj se BE duhet ta ruajë këtë ritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm dhe mos presim për një goditje tjetër që të na kujtojë, dhe së pari të kujtojë njerëzit në Bruksel sesa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE. BE është shumë e rëndësishme për ne, por të gjithë në BE duhet ta kuptojnë dhe të sigurohen që ky ndërgjegjësim të bëhet edhe praktik.”

Zëvendëspresidentja e deleguar e Komisionit Europian të Vlerave dhe Transparencës, Vera Jourova, në kundërpërgjigje u shpreh se zgjerimi i BE-së është një interes i përbashkët, si për Bllokun, ashtu edhe për vendet kandidate.

Tv Klan