Kryeministri Rama pritet nga homologu Sanchez

Kryeministri Edi Rama e nisi me një takim me homologun Pedro Sanchez vizitën 2-ditore të punës në Spanjë me rastin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin gjigand të turizmit “FITUR, Madrid”.

Dy kryeministrat patën një takim kokë më kokë që u pasua nga një takim i zgjeruar dypalësh mes dy delegacioneve, ku Kryeministrin Rama e shoqëronin ministrja e Turizmit Kumbaro dhe disa nga kryetarët e bashkive të zonave turistike.

Rama do të jetë i pranishëm edhe në çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “FITUR 24” që do të bëhet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI, ku do të prezantohet diversiteti i pasur turistik i vendit tonë, si një destinacion unik për t’u promovuar e vizituar.

Kreu i qeverisë pritet të takohet me sipërmarrës dhe drejtues të kompanive prestigjioze botërore, si dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit.

Ky është një nga panairet ndërkombëtarë më të rëndësishëm të turizimit që do të mbahet për 5 ditë me radhë në kryeqytetin spanjoll. Pjesë e tij mes 152 vende pjesëmarrëse, Shqipëria e cila do të prezantojë potencialin e saj turistik veç të tjerash me këtë spot promovues ku shfaqen bukuritë e vendit nga jugu në veri.

Nën sloganin “Albania, all you need is here”(Shqipëria, çdo gjë që kërkon është këtu) Ministria Turizmit synon tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Vitin e shkuar mes 10 milionë turistëve që vizituan Shqipërinë 87 mijë ishin spanjollë.

Tv Klan