Shumë shtete anëtare të OKB-së po lobojnë për të shpallur 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Pjesë e kësaj nisme që votohet më 17 Prill është Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Bosnja, Kili, Finlanda, Zelanda e Re, Turqia dhe vende të tjera.
Ruanda dhe Gjermania po udhëheqin këtë përpjekje. Serbia është duke lobuar fort kundër projektrezolutës por ka pak shanse për të arritur bllokimin e saj.
Projekt-rezoluta bazohet pjesërsisht në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2004, që shpalli 7 prillin Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin e vitit 1994 ndaj grupit Tutsi në Ruandë.
Asambleja e Përgjithshme të OKB-së përbëhet nga 193 vende anëtare.
Në tekstin e projekt-rezolutës, mes tjerash dënohet çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të ngritur figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të vikimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe vazhdimin e përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Projekt-rezoluta i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të krijojë një program të quajtur “Gjenocidi i Srebrenicës dhe OKB-ja”, i cili do të merrej me përgatitjet për organizimin e aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës në 2025.
Më 11 Korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm në vitin 2019 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Klan News