9 milionë vizitorë të huaj hynë në vendin tonë për periudhën Janar-Tetor
Flukset hyrëse të turistëve të huaj në Shqipëri vazhdojnë të jenë në trende rritëse edhe gjatë vjeshtës. Gjatë muajit tetor, sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, 691 mijë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë, ose 89% më shumë krahasuar me Tetorin e vitit 2022, që ishin rreth 356 mijë turistë. Sipas një postimi në rrjetet sociale Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shkruan se për periudhën dhjetëmujore të 2023, ka një rritje me 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në total, për periudhën janar – tetor kanë vizituar Shqipërinë 8 milionë e 980 mijë turistë të huaj, duke pësuar një rritje me mbi 2 milionë e 100 mijë turistë në krahasim me dhjetëmujorin e vitit 2022, që është dhe viti rekord i hyrjeve të vizitorëve të huaj. Pritshmëritë janë që numri i vizitoreve të mbetet i lartë dhe për muajin nëntor dhe dhjetor dhe të arrihet një shifër prej 10 milionë turistë të huaj në mbyllje të këtij viti.
Në publikimin e fundit të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) të barometrit të turizmit botëror, Shqipëria renditet në vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë për rritjen e flukseve të vizitorëve të huaj me rritje prej +56% për muajt janar-korrik 2023. Edhe gjiganti i udhëtimeve “National Geographic” e ka renditur Shqipërinë ndër vendet 30 vendet e botës që duhen vizituar në vitin 2024. Ndërkohë që turoperatorët thonë se kanë një rritje të prenotime për vitin e ardhshëm me rreth 35%.
Klan News