Shqipëria rikthehet në tregjet e kapitalit


Shqipëria rikthehet në tregjet e kapitalit

23:26 18/11/2021

Emeton Eurobondin 10-vjeçar 650 mln euro me normë interesi 3.75%

Shqipëria është rikthyer pas gati dy vitesh në tregun ndërkombëtar për të marrë Eurobondin e 5-të me afat 10-vjeçar, duke rikonfirmuar kështu besimin e investitorëve.

Eurobondi i ri është me vlerë 650 milion € dhe është marrë me interes 3.75%. Procesi u drejtua nga Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.

Qeveria bëri të ditur se investitorët treguan konfidencë duke shprehur interes në ofertat që kaluan 1.8 herë vlerën e kërkuar. Sipas saj ky ishte një test real për ekonominë shqiptare, që rikonfirmon besimin e tregjeve në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare edhe në kohë të vështira, pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë.

Transaksioni shënon rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2015 dhe 2018, 2020, ku u arrit financimi me po të njëjtin kupon si ne 2020, 3.5%, por këtë herë me një afat maturimi 10-vjeçar.

Emetimi i Eurobondit prej 650 milionë euro do të përdoret  për të mbështetur me 34.1 miliardë lekë  mbulimin e pagesave të borxhit të huaj gjatë vitit 2021, 42.5 miliardë lekë do të përdoren për mbulimin e pagesave të borxhit të huaj në vitin 2022 dhe 8.5 miliardë lekë për financimin e deficitit buxhetor gjatë vitit 2022.

Tv Klan








Të ngjashme