Ishin përfaqësues të Ambasadës në Tiranë

Tirana ka shpallur “non grata” dy përfaqësues të tjerë të Ambasadës iraniane, për shkak se konsiderohet që kanë zhvilluar veprimtari që nuk përputhen me statusin e tyre diplomatik, një vendim që vjen vetëm pak ditë pasi Teherani e kërcënoi vendin tonë si aleat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Jashtme njoftoi se behët fjalë për Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.

Të dyve u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë. Me dy diplomatët numri i të dëbuarve në këtë Ambasadë shkon në katër.

Në vitin 2018, Tirana shpalli persona të padëshirueshëm edhe Ambasadorin e Iranit në vendin tonë Gholamhossein Mohammadnia dhe një përfaqësues tjetër diplomatik.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo i akuzoi diplomatët iranianë se komplotuan sulme terroriste. Autoritetet në Tiranë ndërkohë thanë se kishin shmangur një sulm terrorist pranë kryegjyshatës botërore me ndalimin e tre iranianëve që ishin paraqitur si gazetarë të huaj.

Tirana ka mikpritur mbi 3 mijë muxhahedinë, me kërkesë të Uashingtonit dhe për këtë arsye, pak ditë më parë Ayatollah Ali Khameneie kërcënoi Shqipërinë si aleate të Shteteve të Bashkuara duke e quajtur si një vend djallëzor që kishte strehuar muxhahedinët që janë kundërshtarë të regjimit të Teheranit.

Me dëbimin e dy përfaqësuesve të tjerë, në Ambasadën e Iranit kanë mbetur vetëm dy diplomatë.

Tv Klan